Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me konstatimet e evidentuara në raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij, “Indeksi i Lirisë së Mediave në Botë 2015”.
Në këtë raport, Kosova është renditur në vendin e 87-të, në listën prej 180 vendeve, duke shënuar përkeqësim nga viti 2014, kur ka qenë në pozitën numër 80.
AGK, përmes një komunikate për media tha se fakti i prezantuar në raport se dhuna ndaj gazetarëve është rritur është shqetësues dhe dëshmi se mbetet ende shumë punë për t'u bërë për krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë.
"AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe iu bën thirrje gazetarëve që të vazhdojnë ta ngrenë zërin për problemet që hasin gjatë punës së tyre, për krijimin e një mjedisi të sigurtë për punë sa më profesionale", thuhet në këtë komunikatë.