Ndërlidhjet

VV kritikon qeverinë për gjendjen në Preshevë


Prishtinë
Prishtinë

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pritur sot në takim deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.

Përmes një njoftimi për media thuhet se në këtë takim është diskutuar për “pozitën e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje”.

Halimi dhe Kamberi kanë njoftuar përfaqësuesit e Lëvizjes për problemet e vazhdueshme me të cilat ballafaqohen shqiptarët atje, “që prej diplomave të fakulteteve, të cilat nuk u pranohen nga Serbia, e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici”.

“Presheva si komunë me shumicë dërrmuese të popullsisë shqiptare nuk ka fare gjykatë themelore, edhe pse një të tillë e ka pasur më herët, ndërkohë që prokuroria për tërë rajonin gjendet në Vranjë. Në kuadër të Gjykatës ka12 gjykatës prej të cilëve vetëm tre janë shqiptarë, ndërsa 9 janë serbë. Dy vendet e lira të përcaktuara për gjykatës shqiptarë, për gati dy vjet, nuk janë plotësuar”, thuhet në komunikatën për media të Vetëvendosjes.

“Kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë. Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, theksohet më tej në komunikatë.

XS
SM
MD
LG