Ndërlidhjet

Azerbajxhan: Paditësi i gazetares Ismaylova – tërhiqet


Khadija Ismayilova
Khadija Ismayilova

Personi paditës në rastin kundër gazetares së burgosur në Azerbajxhan, Khadija Ismayilova, thotë se formalisht ka kërkuar nga Zyra e prokurorit të përgjithshëm për ta tërhequr padinë.

Personi, Tural Mustafayev, i tha dje Radios Evropa e Lirë se ai, vitin e kaluar, e kishte bërë një ankesë kundër gazetares hetuese, Ismaylova, në një gjendje të stresit emocional dhe tash dëshrion “të bëjë paqe” me reporteren.

Ismayilova, e cila ishte edhe kontribuese e Radios Evropa e Lirë, është arrestuar më 5 dhjetor të vitit të kaluar, e dyshuar se e ka nxitur personin Mustafayev të bëjë përpjekje për vetëvrasje.

Gazetarja, Khadija Ismayilova, e cila ka zbuluar korrupsion të zyrtarëve qeveritarë, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për keqbërje dhe thotë se ato janë politikisht të motivuara.

Nuk është menjëherë e qartë nëse prokurorët do ta tërheqin rastin dhe, rrjedhimisht, a do të lirohet gazetarja.

Në muajin shkurt kundër saj janë paraqitur akuza të reja për evazion taksash, aktivitete ilegale biznesore dhe keqpërdorim të pozitës.

Paraburgimi i saj duhet të përfundoj më 24 maj.

Burgosja e saj është kritikuar ashpër nga grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pasi e kanë vlerësuar si fushatë nga qeveria e presidentit, Ilham Aliyev, për t’i frikësuar dhe heshtur gazetarët dhe aktivistët e pavarur.

XS
SM
MD
LG