Ndërlidhjet

Afganistan: Ushtari amerikan është vrarë në një sulm të brendshëm


Pamje e pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në Afganistan
Pamje e pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në Afganistan

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara tha se një ushtar amerikan është vrarë sot gjatë luftimeve ndërmjet trupave afgane dhe forcave të NATO-s. Gjatë kësaj përleshjeje të armatosur në provincën lindore Nangarhar të Afganistanit, janë plagosur edhe dy ushtarë të tjerë amerikanë.

Ky zyrtar në Uashington ka folur në kushte të anonimitetit, pasi nuk ishte i autorizuar për të folur para publikimit të deklaratës zyrtare.

Më herët, NATO-ja tha se një ushtar i saj është vrarë sot gjatë luftimeve ndërmjet trupave afgane dhe NATO-s, në pjesën lindore të Afganistanit.

Në kumtesën e NATO-s nuk ishte zbuluar kombësia e ushtarit të vrarë, por policia e provincës Nangarhar, ku ka ndodhur incidenti, tha se ishin të involvuar ushtarët amerikanë.

Shefi i policisë në Nangarhar, Fazel Ahmad Sherzad, tha se një ushtar afgan ka hapur zjarr kundër trupave amerikane, duke shkaktuar viktima.

Mëtutje, ky zyrtar policor tha se sulmuesi është vrarë, ndërsa ishin plagosur edhe dy ushtarë afganë.

Zoti Sherzad tha se sulmi ndodhi pas një takimi ndërmjet guvernatorëve provincialë dhe një zyrtari të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kompleksin e zyrës së guvernatorit në Nangarhar, në qytetin Xhalalabad.

Ushtari afgan kishte ardhur në kompleks së bashku me tetë trupa të tjera afgane dhe me një grup të ushtarëve të NATO-s.

Në muajin janar, një ushtar afgan i ka vrarë tre kontraktorë amerikanë në një sulm të ngjashëm të brendshëm.

XS
SM
MD
LG