Ndërlidhjet

Steinmeier: Putini nuk ftohet për samitin G7


Frank-Walter Steinmeier
Frank-Walter Steinmeier

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të ftohet për të marrë pjesë në samitin e shtatë vendeve udhëheqëse industriale, që mbahet në Bavari të Gjermanisë, këtë qershor.

Në intervistën e publikuar sot në gazetën, Die Welt, zoti Steinmeier është pyetur për thirrjen nga lideri i një partie të majtë në Gjermani, që zoti Putin të ftohet në samit, për të diskutuar për krizat ndërkombëtare.

Steinmeier tha se nuk është në interesin e askujt që të izolohet Rusia, por për aneksimin ilegal të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, “ne nuk mund të veprojmë se nuk ka ndodhur asgjë dhe të punojmë si zakonisht”.

Mëtutje, zyrtari i lartë gjerman ka theksuar se do të ishte e dëshirueshme që Rusia të involvohet në zgjidhjen e krizave në Siri, Jemen dhe Libi, por tash për tash, çështja e ripërtritjes së G8-tës, është e mbyllur.

“Për tu kthyer në G8, duhet të respektohet uniteti i Ukrainës dhe implementimi i obligimeve ruse nga marrëveshja e Minskut”, tha Frank-Walter Steinmeier.

Vitin e kaluar, liderët e shtatë vendeve më të zhvilluara indisutrialisht në botë (G7), Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë mbajtur samitin pa Putinin, në shenjë të protestës ndaj aksioneve të Rusisë në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG