Ndërlidhjet

Bosnjë: Arrestohet një i dyshuar pas sulmit kundër policisë


Pamje nga Zvorniku, një ditë pas sulmit në stacionin e policisë
Pamje nga Zvorniku, një ditë pas sulmit në stacionin e policisë

Policia e Bosnjë Hercegovinës thotë se e ka arrestuar një të dyshuar i ndërlidhur me një grup radikal islamist, pas sulmit vdekjeprurës kundër një stacioni të policisë në qytetin lindor, Zvornik.

I dyshuari po mbahet në paraburgim lidhur me aktivitete terroriste, kanë njoftuar autoritetet.

Mbrëmë, personi i identifikuar si Nerdin Ibriq, 24 vjeçar, ka depërtuar në stacionin e policisë në Zvornik, me ç’rast e ka vrarë një oficer dhe i ka plagosur dy të tjerë, ndërsa gjatë të shtënave është vrarë edhe vetë sulmuesi.

Të dy policët e plagosur nuk janë në rrezik për jetë.

Raportet etnike në këtë qytet mbesin të tensionuara edhe dy dekada pas përfundimit të luftës. Zvorniku, me popullatë shumicë serbe, ishte skenë e mizorive kundër popullatës myslimane gjatë luftës, raporton agjencia DPA.

Komuniteti mysliman në Zvornik e ka dënuar sulmin kundër stacionit të policisë.

Por, ky sulm e ka nxitur liderin e njohur serb në Bosnjë, Millorad Dodig, i cili angazhohet për ndarje të Bosnjës, duke insistuar se është vend jofunskional dhe pa ardhmëri, që t’i fajësoj institucionet qendore për joefikasitet.

“Nuk ka pasur sinjale për pritje të sulmit terrorist”, tha Dodig dhe ka shtuar se “kjo vetëm tregon se si funksionojnë strukturat e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Bosnjë-Hercegovinë, Maureen Cormack, sot në një konferencë për gazetarë në Sarajevë, ka shprehur “ngushëllim të thellë” dhe ka theksuar se “terrorizmi është një çështje që i ka prekur të gjitha vendet tona, Shtetet e Bashkuara, vendet në gjithë Evropën, dhe ky është problem global”.

XS
SM
MD
LG