Ndërlidhjet

Zgjerohet hetimi për të shtënat afër aktivitetit për Profetin Muhamed


Policia duke i evakuuar pjesëmarrësit e garës në Garland pas të shtënave
Policia duke i evakuuar pjesëmarrësit e garës në Garland pas të shtënave

Autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara thonë se agjentët e agjencisë FBI e kanë bastisur një banesë në Feniks të shtetit Arizona, në kuadër të hetimeve për të shtënat vdekjeprurëse afër një gare për karikaturat e Profetit Muhamed.

Një zëdhënës i FBI-së tha sot se banesa ishte bastisur për indikacione lidhur me shkaqet e të shtënave të djeshme, nga të cilat dy persona të armatosur u vranë, ndërsa një oficer i sigurisë u plagos afër lagjes Garland në Dallas.

Mediat amerikane kanë raportuar se një i dyshuar ishte identifikuar si Elton Simpson, ndaj të cilit më parë ishin zhvilluar hetime për dyshime për terrorizëm.

Njëherësh, oficeri në Garland, Joe Harn, tha se personat e armatosur kishin hapur zjarr nga armët automatike dhe se një oficer policie i kishte qëlluar për vdekje të dy njerëzit e armatosur.

Nisma e Lirisë Amerikane për Mbrojtje e kishte organizuar garën për përshkrimin më të mirë të karikaturës së Profetit Muhamed dhe parashihej një çmim prej 10 mijë dollarësh, për fituesin.

Në muajin janar të këtij viti, islamistët e armatosur i kanë sulmuar zyrat e revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, në Paris, duke i vrarë 12 vetë, në shenjë të hakmarrjes për botimin e karikaturave të Muhamedit.

XS
SM
MD
LG