Ndërlidhjet

Zaev: Rendi dhe ligji vendosen pas ikjes së Gruevskit


Lideri opozitar maqedonas, Zoran Zaev gjatë protestës së sotme
Lideri opozitar maqedonas, Zoran Zaev gjatë protestës së sotme

Lideri i opozitës, Zoran Zaev i është drejtuar masë së tubuar në protestën gjithëpopullore para qeverisë në Shkup.

Kryetari i Lidhjes social-demokrate tha se ka ardhur koha që kryeministri, Nikolla Gruevski përfundimisht të ikë nga pushteti.

“Gruevski I ka orët e numëruara dhe çdo moment duhet të braktisë godinën e qeverisë”, tha Zaev.

Ai akuzoi qeverinë për veprimtari kriminale, falsifikim të zgjedhjeve, dhunë ndaj institucioneve dhe ndaj qytetarëve përmes shantazheve të ndryshme.

“E vërteta për Maqedoninë ka dalë në sipërfaqe dhe kjo dëshmohet edhe me rrugët e Shkupit të mbushura me njerëz. Ne kemi vendosur të kthejmë demokracinë. Ky muaj do të hyjë në histori për kthesën e re të Maqedonisë. Do të vendosin sundimin e ligjit. Këtë po e bëjmë me të gjithë qytetarët pa dallim përkatësinë e tyre etnike dhe fetare” tha Zaev duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit, drejtuesve të televizionit shtetëror dhe të gjithë funksionarëve të përfshirë në aferën e përgjimeve.

Zaev tha zgjidhja e vetme për krizën politike është formimi i qeverisë kalimtare dhe përgatitja e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zaev tha se nuk do të ketë tërheqje pa vendosjen e rendit dhe ligjit në Maqedoni. Kjo, tha Zaev do të arrihet vetëm me largimin e Nikolla Gruevskit.

XS
SM
MD
LG