Ndërlidhjet

Ymeri: Gjykata Speciale, kërkesë për të hequr dorë nga sovraniteti


Visar Ymeri
Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se për Kosovën kërkesa për të themeluar Gjykatë Speciale është realisht kërkesë për të hequr dorë nga sovraniteti i saj shtetëror.

Ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se vota për specialen është votë për ta pranuar suspendimin e rregullimit kushtetues të gjyqësorit në vend, dhe për ta krijuar hapësirën e një gjyqësori paralel plotësisht të ri, të pavarur nga Kosova, formalisht brenda sistemit realisht jashtë dhe mbi të.

Sipas Ymerit, nëse kushtetuta ndryshohet ajo duhet të sjellë më shumë liri dhe barazi për popullin e Kosovës dhe jo ndryshime që e zgjerojnë dhe thellojnë mungesën e tyre.

“Janë 3 shtylla bazë të sovranitetit të një vendi: ushtria apo kapacitetet mbrojtëse; ekonomia apo kapacitetet për rritjen e mirëqenies së qytetarëve; gjyqësia apo kapacitetet e garantimit të të drejtave kolektive e individuale të qytetarëve. Të tria këto, Republika e Kosovës i ka të deformuara. Ushtri nuk kemi dhe varemi nga jashtë, nga KFOR-i, ekonominë nuk e kemi zhvilluar dhe presim investimet nga jashtë, gjyqësinë e kemi të defunksionalizuar dhe po e presim nga jashtë, nga dhomat e specializuara, nga EULEX-i, e më parë nga UNMIK-u”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se po ashtu se VV-ja e "kundërshton ndarjen etnike të vendit, dhe në këtë linjë edhe ndarjen etnike të Forcave të Armatosura të Kosovës".

“Ne jemi për një shtet unik dhe funksional, ku të gjitha minoritetet janë të sigurta, gëzojnë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe kanë mirëqenie të barabartë. Por ajo që po ndodh në Kosovë është zgjerimi i planeve agresore të Serbisë, në emër të gjoja zgjerimit të të drejtave për minoritetin serb”, ka thënë Ymeri.

XS
SM
MD
LG