Ndërlidhjet

Luftimet në Ukrainë, kërcënim për marrëveshjen e armëpushimit


 Donjeck, 3 qershor
Donjeck, 3 qershor

Luftimet që sot kanë ndodhur në mes të forcave qeveritare ukrainase dhe rebelëve pro-rusë, në perëndim të Donjeckut, janë luftimet më të ashpëra që prej se është arritur marrëveshja e armëpushimit.

Ky përshkallëzimi i situatës është kërcënim për prishjen e marrëveshjes së armpushimit, e cila u arrit në muajin shkurt, në Minsk të Bjellorusisë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka thënë se sot, se në ofenzivën afër qyteteve Maryinka dhe Krasnohoricka, në perëndim të Donjeckut, trupat qeveritare janë detyruar që të përdorin artileri të cilat ishin hequr nga përdorimi me marrëvëveshjen Minsk II, si përpjekje për të demilitarizuar zonën.

Ushtria ukrainase thotë se i paralajmëron “partnerët ndërkombëtarë” në ripozicionimin e për përdorimin e armëve të rënda. Ushtria thotë se përdorimi i armëve të rënda ishte i nevojshëm, pasi në ofenzivën e sotme, 1 mijë ushtarë rebelë morën pjesë dhe po ashtu u përdorën tanke, mortaja dhe artileri.

“Me qëllim për të reaguar në mënyrën e duhur, ne ishim të detyruar që të përdorim artileri të rëndë”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë Oleksiy Mazepa.

Zyra e Presidentit, ndërkaq ka thënë se dy ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve të sotme.

Ministri i vetëshpallur i Mbrojtjes i Repuvlikës të Njerëzve të Donjeckut, ka akuzuar Ukrainën se forcat e saj kanë nxitur dhunën, e cila filloi rreth orës 3 sipas kohës lokale, duke shtuar se Kievi tentoi që të “prish” marrëveshjet e Minskut.

Një zëdhënës i separatistëve ka deklauar se 15 luftëtarë dhe civilë janë vrarë në zonat e kontrolluara nga ta, si rezultat i luftimeve të sotme, të cilat kanë zgjatur rreth 12 orë.

Separatistët po ashtu thonë se energjia elektrike është ndërprerë dhe ka lënë qindra minatorë të bllokuar nëntokë në dy miniera.

Konflikti në lindje të Ukrainës ka filluar në prill të vitit 2014. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se prej fillimit të konfliktit janë vrarë më shumë se 6,400 persona.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se po ndihmon me armatim dhe trupa separatistët, kurse Moska po i hedhë poshtë këto akuza.

XS
SM
MD
LG