Ndërlidhjet

Allen vlerëson anëtarësimin e Kosovës në koalicionin anti-IS


Gjenerali John Allen
Gjenerali John Allen

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot gjeneralin John Allen, i dërguar special i presidentit të Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global Kundër Shtetit Islamik, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës.

Në kumtesën e lëshuar nga Presidenca thuhet se Jahjaga ka njoftuar gjeneralin Allen me veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e sigurisë për të parandaluar dhe për t’u përballur me kërcënimin terrorist global që paraqet Shteti Islamik dhe grupet tjera terroriste, të lidhura me të.

Presidentja Jahjaga ka thënë se veprimet e hershme të institucioneve të Kosovës e kanë shndërruar Kosovën në shembull për qasjen ndaj këtij fenomeni dhe sfide të sigurisë.

Gjenerali Allen, në anë tjetër, ka vlerësuar anëtarësimin e Kosovës në koalicionin global në luftën kundër Shtetit Islamik dhe pjesëmarrjen e saj në Grupin Punues të Koalicionit për shpërndarjen e mesazheve të kundërta.

Allen dhe Jahjaga janë pajtuar për rëndësinë e shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e valës së luftëtarëve të huaj dhe kanë diskutuar një varg mënyrash se si mund të zgjerohet dhe thellohet përqasja ndaj komuniteteve që mund të rrezikohen nga radikalizimi.

XS
SM
MD
LG