Ndërlidhjet

Zarif: Gjasë të mira për arritje të marrëveshjes atomike


Mohamed Javad Zarif
Mohamed Javad Zarif

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohamed Javad Zarif, ka thënë se bisedimet ndërkombëtare për programin atomik të Iranit, mund të kompletohen deri më 30 qershor ose pak më vonë, nëse ekziston vullneti politik.

“Ekziston përkushtimi politik në të gjitha palët për të lëvizur përpara”, tha Zarif dje në Luksemburg.

Pas takimit me zotin Zarif, sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, tha se Londra dëshiron marrëveshje të ashpër mbikëqyrëse atomike me Iranin, me inspektim të plotë të kapaciteteve iraniane, që paraqet “linjë të kuqe absolute” për çfarëdo marrëveshjeje.

Ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se Parisi, po ashtu, dëshiron “një regjim të zgjatur të verifikimit, e nëse është e domosdoshme, edhe përfshirjen e hapësirave ushtarake dhe “kthim automatik të sanksioneve në rast se Irani nuk i respekton përkushtimet e tij”.

Irani dhe 6 fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania, po zhvillojnë negociata për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse, që synon ndaljen e aktiviteteve atomike të Iranit në këmbim për zbutje të sanksioneve ekonomike.

Të gjashtë fuqitë dëshirojnë kufizime në programet bërthamore iraniane, që mund të kenë përdorim ushtarak.

Teherani i ka hedhur poshtë akuzat se synon prodhimin e armatimit atomik.

XS
SM
MD
LG