Ndërlidhjet

Armeni: Policia përdori forcë ndaj protestuesve


Pamje nga protesta në Erevan
Pamje nga protesta në Erevan

Mijëra protestues kanë marshuar dje kah Pallati presidencial në kryeqytetin Erevan në Armeni, për të demonstruar kundër rritjes së çmimeve elektrike.

Pjesëmarrësit kanë improvizuar një protestë me ulje në një shesh në qendër të qytetit, derisa policia speciale e ka bllokuar masën e njerëzve në rrugën për në hapësirën ku gjenden zyrat qeveritare.

Organizatorët e demonstratës kanë kërkuar që tu lejohet lëvizja e lirë nëpër shesh, por policia u ka tërhequr vërejtjen se marshi protestues ishte “joligjor”.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, policia ka lëvizur për t’i shpërndarë me forcë demonstruesit, të cilët i kaluan më se nëntë orë në rrugë, jo larg Pallatit presidencial në Eerevan.

Shumë demonstrues janë arrestuar dhe janë marrë në polici. Në mesin e të arrestuarve ka pasur edhe disa gazetarë.

Presidenti i Armenisë, Serzh Sarkisian, ka propozuar që të takohet me një grup të vogël të protestuesve, nëse ata e ndalin marshin, por kjo ofertë ishte refuzuar nga demonstruesit.

Komisioni Rregullator i Shërbimeve Publike në Armeni, javën e kaluar, ka votuar për rritjen e çmimeve të rrymës për 16%. Kjo ishte rritja e tretë e njëpasnjëshme e çmimit në tri vitet e fundit.

XS
SM
MD
LG