Ushtria ukrainase thotë se një ushtar është vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve në lindje të vendit.
“Situata në rajonin e Donjeckut vazhdon të jetë më e vështira dhe atje nuk ka pasur ndryshime të mëdha. Separatistët po përdorin tanke dhe mortaja”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Lysenko.
Në ndërkohë, misioni i posaçëm i monitorimit i OSBE-së, ka thënë se luftimet përreth aeroportit të Donjeckut “kanë vazhduar me një intensitet të shtuar, krahasuar me ditët e kaluara”.
OSBE shton se situata e sigurisë në Shyrokyne, i cili ndodhet afër qytetit-port të Mariupolit “është përkeqësuar gjatë ditës”.
Forcat qeveritare ukrainase dhe separatistët pro-rusë po akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, e cila u arrit në muajin shkurt në Minks të Bjellorusisë.
Më shumë se 6,400 njerëz janë vrarë, që prej se luftimet në lindje të Ukrainës kanë filluar në prillin e vitit 2014.