Ndërlidhjet

Nigeri: Dhjetëra të vrarë e të plagosur


Policia e Nigerisë në gjendje gatishmërie pas një sulmi të mëparshëm të militantëve në Nigeri
Policia e Nigerisë në gjendje gatishmërie pas një sulmi të mëparshëm të militantëve në Nigeri

Nga dy eksplodime, që e kanë tronditur mbrëmë qytetin Jos në Nigeri, janë vrarë së paku 44 vetë.

Dëshmitarët thanë se cak i një sulmi ishte një restorant, ndërsa në shënjestër të tjetrit, ishte një imam mysliman, i cili e kishte kundërshtuar grupin militant islamik, Boko Haram.

Agjencia Kombëtare e Emergjencave në Nigeri tha se 44 vetë janë vrarë, 23 në restorant dhe 21 në xhami.

Nga sulmet janë plagosur 47 vetë, që po trajtohen nga mjekët.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme në Jos të shtetit Plateau, por më parë ka pasur sulme të ndërmarra nga grupi, Boko Haram.

Më herët gjatë ditës së djeshme, nga një sulmues vetëvrasës janë vrarë 6 vetë në një kishë në pjesën verilindore të Nigerisë, një javë pasi kryengritësit e dyshuar të Boko Haramit i vranë më se 200 njerëz.

Grupi ekstremist islamist, Boko Haram, tash e 6 vjet ka ndërmarrë një fushatë të dhunës në pjesën verilindore të Nigerisë.

XS
SM
MD
LG