Ndërlidhjet

Greqia miraton masat e kursimit - përleshje në Athinë


Përleshje të dhunshme përfshinë protestat kundër planit për masa të ashpra të kursimeve, para parlamentit grek, i cili miratoi me 229 vota për dhe 64 kundër, masat e ashpra ekonomike, që mundësojnë zbatimin e marrëveshjes prej 86 miliardë dollarësh me vendet e eurozonës

Grupe protestuesish hodhën “koktej molotov” dhe gurë mbi policinë e cila përdori gazin lotsjellës. Mbi 50 protestues janë arrestuar.

Policia tha se rreth 12 mijë veta ishin mbledhur në një protestë në sheshin Syntagma, para parlamentit për të kundërshtuar masat e kursimit që përfshijnë rritjen e taksave dhe reformimin e pensioneve.

Më 13 korrik, liderët e eurozonës i kanë bërë presion kryeministrit grek Alexis Tsipras që të pranojë shkurtimin e shpenzimeve publike, masa këto që votuesit grekë i refuzuan në referendumin e mbajtur më 5 korrik.

Por masat shtrënguese dhe ekonomia e lirë e tregut bien ndesh me politikat e partisë së krahut të majtë Syriza, të kryeministrit Tsipras dhe një numër i madh i deputetëve nga kjo parti pritet që të votojnë kundër reformave

XS
SM
MD
LG