Ndërlidhjet

OKB: U akreditua Freedom Now, Rusia ishte kundër


Maran Turner - drejtoreshë ekzekutive e organizatës Freedom Now
Maran Turner - drejtoreshë ekzekutive e organizatës Freedom Now

Kombet e Bashkuara mbrëmë vonë e kanë miratuar akreditimin për organizatën jofitimprurëse, Freedom Now (Liria Tash), që punon për lirimin e të burgosurve të ndërgjegjes në gjithë botën. Ky akreditim është vlerësuar si fitore për Shtetet e Bashkuara dhe disfatë për Rusinë, Kinën, Kazakistanin, dhe disa vende të tjera, që e kundërshtuan akreditimin.

Muajin e kaluar, Komiteti i Kombeve të Bashkuara, që i akrediton organizatat joqeveritare, e pat refuzuar kërkesën e grupit, Freedom Now, me seli në Uashington.

Por, Shtetet e Bashkuara e paraqitën rastin në Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) që ka 54 anëtarë, i cili votoi në favor të akreditimit me 29 vota për dhe 9 kundër.

Ky këshill është trupë simotër e Komitetit të OKB-së.

Në mesin e vendeve që votuan kundër ishin Kina, Sudani, Rusia, Kazakistani dhe Pakistani.

Masa që është miratuar ishte sponzorizuar nga Shqipëria, Australia, Estonia, Franca, Gjermania, Japonia, Zvicra, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Uruguaji.

“Freedom Now është mallkim për disa vende të caktuara, pasi avokatët e saj punojnë duke u përpjekur për lirimin e atyre që në mënyrë të padrejtë janë burgosur në bazë të besimit të tyre politik, religjioz e të tjerë”, tha Samantha Power, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Freedom Now, Maran Turner, i ka falënderuar anëtarët e këshillit ECOSOC, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “ne synojmë ta shfrytëzojmë statusin tonë për përmirësimin e kujdesit dhe të përpjekjeve globale, që shqyrtojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe burgosjet arbitrare”.

XS
SM
MD
LG