Ndërlidhjet

NATO: Janë vrarë dy ushtarë nga sulmuesit me uniforma afgane


Pamje e ushtarëve të NATO-s gjatë një operacioni në Afganistan
Pamje e ushtarëve të NATO-s gjatë një operacioni në Afganistan

NATO-ja thotë se dy pjesëtarë të saj janë vrarë nga persona të veshur me uniforma të Forcave të Sigurisë Kombëtare të Afganistanit, në pjesën jugore të këtij vendi.

Sipas njoftimit të aleancës, sulmi ka ndodhur sot herët në mëngjes, në provincën Helmand.

Në njoftim, mëtutje, theksohet se sulmuesit kishin hapur zjarr kundër automjetit të ushtarëve brenda në kompleksin ushtarak dhe se të dy sulmuesit janë vrarë kur pjesëtarët e NATO-s janë përgjigjur me zjarr.

Nuk është dhënë ndonjë informacion për kombësinë e ushtarëve të vrarë.

Sulmet e ashtuquajtura uniformat “jeshile kundër të kaltërta”, kur ushtarët ose policët afganë i sulmojnë ushtarët ndëkombëtarë, ishin problem madhor gjatë luftës së gjatë të NATO-s së bashku me forcat afgane kundër militantëve talibanë në Afganistan.

Talibanët nuk e kanë marrë menjëherë përgjegjësinë për këtë sulm.

Shumica e trupave luftarake të NATO-s janë tërhequr nga Afganistani, vitin e kaluar, por atje ende mbeten kontigjente më të vogla ushtarake, përfshirë afro 10 mijë ushtarë amerikanë.

XS
SM
MD
LG