Ndërlidhjet

Mustafa: Mos krijoni frikë nga Asociacioni


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të trajtohet vetëm si formë e integrimit të pakicave, sidomos asaj serbe, në institucionet e shtetit.

Mustafa ka thënë se nuk duhet krijuar “frikë e tmerr” nga ky asociacion, sepse ai do të funksionojë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka kujtuar se që 16 vjet nga përfundimi i luftës, Kosova nuk ka arritur të ushtrojë sovranitetin e saj në veri të Lumit Ibër.

Por, sipas tij, përmes dialogut, është arritur që "doganierët e Kosovës të vendosen në pikat kufitare në veri, që policia e Kosovës të veprojë në tërë territorin, që të shpërbëhet Mbrojtja Civile, që të ushtrohet sistemi i drejtësisë në tërë territorin, që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, të ketë kufijtë e vet energjetikë, por po ashtu ta ketë edhe Asociacionin si një formë e organizimit të komunave me shumicë serbe”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitare në Kosovë shprehen kundër këtij asociacioni, duke thënë se ai mund të çojë në federalizimin e Kosovës.

Për formimin e këtij asociacioni, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

XS
SM
MD
LG