Ligjvënësit evropianë kanë miratuar një rezolutë që bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të gazerares hulumtuese të Azerbajxhanit, Khadija Ismayilova, dhe të aktivistëve të tjerë azerbajxhanas.
Ismayilova, kontribuese në Radion Evropa e Lirë, është dënuar më 1 shtator me shtatë vjet e gjysmë burgim, nën akuzat për shpifje, evazion fiskal dhe aktivitete të paligjshme biznesore.
Megjithatë, akuzat shihen gjerësisht si hakmarrje e regjimit për raportet e saj për korrupsion në Qeverinë e Azerbajxhanit.
Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje autoriteteve të BE-së që “të kryejnë një hetim të plotë të akuzave për korrupsion kundër presidentit Ilham Aliyev dhe anëtarëve të familjes së tij”.
Ajo po ashtu kërkon nga Komisioni i BE-së dhe vendet anëtare të BE-së të marrin në konsideratë sanksione dhe ndalesa udhëtimi për të gjithë politikanët, zyrtarët dhe gjyqtarët azerbajxhanas, të përfshirë në përndjekjet politike.
Teksti i rezolutës është mbështetur nga të gjitha partitë politike në Parlament, përveç Partisë Evropiane Popullore të krahut të djathtë.