Ndërlidhjet

VV shfryn gomat e makinave qeveritare, dhjetëra të arrestuar


Prishtinë, 11 shtator 2015
Prishtinë, 11 shtator 2015

Partia politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur se aktivistë të kësaj Lëvizjeje, “janë duke shfryrë gomat e makinave zyrtare të qeverisë së Kosovës, në parkingun e kësaj qeverie ”, në Prishtinë.

“Policia po intervenon brutalisht, duke arrestuar dhe rrahur aktivistët”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes.

Policia ka shpërndarë aktivistët dhe ka ndaluar disa prej tyre.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, "kanë hyrë më dhunë brenda oborrit të objektit të ish –Rilindjes, dhe kanë dëmtuar disa vetura zyrtare".

"Policia e Kosovës po merr veprimet e nevojshme ligjore për të menaxhuar më këtë situatë", ka thënë Hoxha, duke shtuar se deri më tash janë dhjetëra të arrestuar.

Veprimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje është në frymën e aksioneve për të “defunksionalizuar qeverinë”, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

VV e konsideron marrëveshjen si shkelje të sovranitetit dhe ndarjen të Kosovës. Të njejtin mendim e ndajnë edhe dy partitë tjera në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

XS
SM
MD
LG