Ndërlidhjet

Opozita në Kosovë dakordohet për bashkim forcash


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina

Partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë dakorduar të mërkurën në Prishtinë që të veprojnë si opozitë e bashkuar “për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike”.

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e këtyre partive politike kanë përmendur një numër pakënaqësish me koalicionin qeverisës në Kosovë, të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mes tjerash, opozita i cilëson negociatat e zhvilluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel si të padrejta dhe marrëveshjet e arritura, posaçërisht ajo për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe si “hapa të mëdhenj drejt bosnjëzimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht, falimentimin politik e ekonomik të shtetit të Kosovës”.

“Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i fillojë bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik”, thuhet mes tjerash në deklaratën e publikuar sot nga partitë politike në opozitë.

XS
SM
MD
LG