Ndërlidhjet

VV: Qeveria shqiptare indiferente për 'Zajednicën'


Visar Ymeri
Visar Ymeri

Kryesues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të medias, akademikë e shoqëri civile në Tiranë, me qëllimin për të ndërgjegjësuar opinionin shqiptar për projektin e "Zajednicës", siç i referohet kjo lëvizje Asociacionit të Komunave me Shumuicë Serbe në Kosovë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, bëri një paraqitje të detajuar të katër marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës e Serbisë më 25 gusht të këtij viti, dhe pasojat e tyre të dëmshme për Republikën e Kosovës.

Ndërsa Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, shpjegoi rrjedhën e negociatave Kosovë-Serbi dhe paraqiti pasojat e dëmshme në territorin e Republikës së Kosovës, që vijnë si pasojë e marrëveshjeve të fundit.

Të dy drejtuesit kanë theksuar indiferencën e Tiranës zyrtare si dhe mungesën e informacionit për marrëveshjet e fundit të nënshkruara.

Zoti Konjufca tha për Radion Evropa e Lirë se “ardhjen në Tiranë e shohim si të nevojshme në aspektin e informimit që me sa shohim i ka munguar opinionit shqiptar në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës e asaj të Serbisë.”

Për indiferencën e politikës shqiptare, Konjufca shtoi:

“Kemi pritur reagim nga politika zyrtare e Shqipërisë, nga qeveria, pasi 'Zajednica' sjell një bosnjëzim të Kosovës, dhe kjo marrëveshje e dobëson elementin shqiptar kudo që ai ndodhet, ndaj nuk kemi pritur, parë nga ky prizëm i problematikës, që qeveria shqiptare të ishte kaq indiferente.”

Ndërsa Albin Kurti, i ftuar gjithashtu në këtë tryezë, pasi shtroi idetë e tij në lidhje me rolin e Qeverisë së Kosovës e ndërkombëtarëve për të realizuar projektin e komunave serbe, tha se “Kosova po shkon drejt tërmeteve e vlimeve të mëdha, pasi 'Zajednica' është një kafshatë që nuk kapërdihet”.

Në tryezë folën edhe përfaqësues të akademikëve e medias shqiptare.

XS
SM
MD
LG