Ndërlidhjet

Forcat afgane thonë se kanë marrë kontrollin në pjesët kryesore në Kunduz


Foto arkivi.
Foto arkivi.

Zyrtarë të Afganistanit kanë thënë se trupat qeveritare kanë marrë nën kontroll shumicën e pikave strategjike në veri të Kunduzit.

Ky qytet kish rënë në dorë të talibanëve vetëm tre ditë më parë.

Nuk janë dhënë detaje më shumë rreth luftimeve të mbrëmshme apo se cilat pjesë të qytetit janë marrë nën kontroll nga forcat qeveritare.

Një zëdhënës i talibanëve ka mohuar një gjë të tillë duke i thënë Reuters-it, se talibanët vazhdonin t’i luftonin forcat qeveritare dhe se kishin nën kontroll qendrën dhe pjesën më të madhe të qytetit.

AFP duke cituar dëshmitarët në Kunduz, raporton se forcat qeveritare janë parë në qendër të qytetit.

Forcat afgane të mbështetura nga sulmet ajrore amerikane për dy ditë më radhë janë munduar të marrin nën kontroll qytetin, i cili është kryeqyteti i parë provincial, që bie nën kontrollin e talibanëve që nga viti 2001.

“Forcat e sigurisë afgane kanë marrë nën kontroll qytetin e Kunduzit prej talibanëve, pas luftimeve të ashpra,” ka thënë Hamdullah Danishi, një zyrtar lokal, raporton Reuters.

“Qyteti është marrë dhe është pastruar nga terroristët, duke shkaktuar dëme të mëdha tek armiku”, ka shkruar zëdhënësi i ministrisë së Brendshme , Sediq Sediqqi, në Twitter.

XS
SM
MD
LG