Ndërlidhjet

Prokuroria ende s'ka vendosur për urdhër-arrest ndaj Kurtit dhe Haxhiut


Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, foto arkivi
Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, foto arkivi

Kryeprokuroria e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ende nuk ka vendosur nëse do të lëshojë urdhër-arrest për deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, tha për Radion Evropa e Lirë se deputeti Kurti ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për t’u intervistuar lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Tash prokurori duhet të marrë veprimet të tjera, ose duhet të bëhet kërkesë në gjykatë për lëshimin e urdhër-arrestit ose duhet bërë kërkesë të re, varet nga prokurori”, tha Beka.

Zoti Beka shpjegoi se për zonjën Haxhiu parimisht duhet të behët një ftesë e re, meqë nuk ka pasur adresë të saktë për t'ia dërguar thirrjen për intervistim.

“Për Albinin [zotin Kurti], prokurori vendos a do të shkojë me kërkesë në gjykatë për t'u lëshuar urdhër-arresti apo me lëshimin e edhe një thirrjeje të re. Ka mundësi që të bëhen të dyja”, tha Beka.

Hetimet kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe hedhjen e gazit lotsjellës nga ana e forcave politike në opozitë, në përpjekje për të shfuqizuar marrëveshjet me Serbinë, të cilësuara si të dëmshme për integritetin territorial të Kosovës nga ana e opozitës.

XS
SM
MD
LG