Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përgëzuar institucionet e rendit si edhe organet drejtuese të Kuvendit dhe deputetët e partive në pushtet, për sjelljen e tyre gjatë seancës së fundit.
"Dua ta vlerësoj sjelljen e kulturuar të deputetëve të pozitës, sepse e kanë pasur vështirë të punojnë në një ambient të tillë të rrezikshëm edhe për jetën e tyre", ka thënë Mustafa. Ai ka përgëzuar edhe punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli i cili, sipas Mustafës, e gjeti mënyrën që në harmoni me rregulloren dhe ligjin të vazhdoj puna e Kuvendit.
"Me këtë është dëshmuar se Kuvendi mund të funksionoj, koalicioni është stabil, kurse ne si qeveri do të vazhdojmë bashkëpunimin", ka theksuar Mustafa.
Kryeministri Mustafa i ka bërë thirrje edhe opozitës që të kthehet dhe të vazhdoj punën duke respektuar ligjet dhe rregulloren e punës së Kuvendit.