Ndërlidhjet

Ukrainë: Deklarata kundërthënëse nga kryengritësit dhe OSBE-ja


Sepratistët prorusë në pjesën lindore të Ukrainës thonë se i kanë dëbuar dy monitorues të OSBE-së, por kjo organizatë i ka hedhur poshtë këto pohime.

Lideri kryengritës në rajonin Luhansk, Vasily Nikitin, tha sot se dy monitorues “i kishin shkelur marrëveshjet e Minskut”, me të cilat synohet përfundimi i konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës.

Një zyrtar i paemëruar në Luhansk tha se nga monitoruesit ishte kërkuar që të largohen javën e kaluar.

Por, zëvendësshefi i Misionit Special Monitorues të OSBE-së, Alexander Hug, nëpërmjet një deklarate, tha se “asnjë monitorues nuk është larguar” nga rajoni Luhansk.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është përgjegjëse për implementimin e marrëveshjes së armëpushimit të arritur në muajin shkurt në Minsk të Bjellorusisë dhe për koordinimin e bisedimeve paqësore ndërmjet qeverisë në Kiev, në njerën anë, dhe Moskës dhe separatistëve prorusë, në anën tjetër.

Prej prillit të vitit 2014, kur kanë filluar luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve prorusë, në rajonet lindore Donjeck dhe Luhansk, janë vrarë më se 7,900 vetë.

XS
SM
MD
LG