Ndërlidhjet

Blatter: Kupa e Botës në Rusi është vendosur para votimit


Sepp Blatter (majtas) dhe presidenti rus, Vladimir Putin - foto arkivi
Sepp Blatter (majtas) dhe presidenti rus, Vladimir Putin - foto arkivi

Presidenti i suspenduar i FIFA-s, Sepp Blatter, ka thënë se ka pasur marrëveshje për Rusinë, për organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit 2018, përpara se të zhvillohej votimi.

Blatter i ka thënë agjencisë ruse Tass se “diskutimi” për të ardhmen e Kupave të Botës është bërë në vitin 2010.

Ai ka shtuar se një marrëveshje e ngjashme ka ekzistuar edhe për Shtetet e Bashkuara, për organizimin e Kampionatit më 2022.

“Është rënë dakord brenda grupit që të shkojmë në Rusi sepse kurrë nuk kemi qenë në lindje të Evropës dhe më 2022 të shkojmë në Amerikë. Kështu, Kupat e Botës do të mbaheshin në dy fuqitë më të mëdha të botës”, ka thënë Blatter, duke shtuar se katër vota nga Evropa, më pas, e kanë zhvendosur Kampionatin nga SHBA-ja në Katar.

Blatter është duke shërbyer një ndalesë 90-ditëshe nga futbolli për shkak të një pagese të paligjshme që i ka bërë presidentit të Federatës Evropiane të Futbollit, Michel Platini.

Edhe ky i fundit është suspenduar për 90 ditë.

Procesi i ofertimit të turneve më 2018 dhe 2022 është subjekt i një hetimi penal nga autoritetet e Zvicrës.

XS
SM
MD
LG