Ndërlidhjet

Qeveria serbe diskuton sot qëndrimin e Prishtinës karshi marrëveshjeve


Aleksandar Vuçiq, foto nga arkivi
Aleksandar Vuçiq, foto nga arkivi

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjatë ditës së sotme, qeveria serbe do të bisedojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, për “vendimin e Prishtinës që të shtyjë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit” mbi Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Vuçiq është duke iu referuar paralajmërimit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe, në përpjekje për të zhbllokuar punimet në Kuvendin e Kosovës.

Opozita në Kosovë po e cilëson marrëveshjen si të dëmshme për integritetin territorial të Republikës.

Duke folur në një takim me gazetarët në Beograd, kryeministri serb ka thënë se një qëndrim më i prerë i Beogradit do të publikohet pas bisedimeve me zyrtarët evropianë.

“E di që më parë se ata [zyrtarët nga BE-ja] do të thonë se kjo nuk ka shumë rëndësi, se bëhet fjalë vetëm për një muaj…Kam dëgjuar rrëfime të tilla mjaft, mund t’i dëgjoj edhe një herë, por do të flasim për këtë çështje sot, në mbledhjen e qeverisë”, ka thënë Vuçiq.

XS
SM
MD
LG