Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të takojë sot në Londër sekretarin e jashtëm britanik, Philip Hammond.
“Pas vizitës në shtetet e Azisë Qendrore, Kerry do të ndalojë në Londër, ku do të takojë sekretarin e jashtëm britanik, Hammond, përpara se të kthehet në Uashington të mërkurën”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau.
Kerry dhe Hammond janë takuar për herë të fundit në shtator, për të diskutuar çështje dypalëshe dhe globale, përfshirë krizën e vazhdueshme në Siri dhe situatën me refugjatë.
Në katër ditët e fundit, Kerry ka vizituar Azinë Qendrore dhe ka takuar liderët e Kirgizisë, Uzbekistanit, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit.