Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë për miratim projekt-ligjin e propozuar nga qeveria për Buxhetin e vitit 2016.
Por, ajo që e bën të paparashikueshëm mbajtjen e kësaj seance është zotimi i opozitës se do ta pengojë atë.
Ndërpritet seanca prej gazit lotsjellës në Kuvend.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me të vetmen pikë, miratimin e Projekt-ligjit për Buxhetin e vitit 2016, është ndërprerë ende pa i filluar punimet pasi që deputetët opozitarë nuk kanë lejuar zhvillimin e saj.
Ata fillimisht kanë provuar të mblidhen te foltorja e Kuvendit, ku janë penguar nga sigurimi, i cili me urdhër të Kryesisë së Kuvendit ishte futur sërish në sallë.
Më pas, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka hedhur një sprej në drejtim të sigurimit, çka e ka shtyrë kryetarin e Kuvendit të kërkoj pauzë. Po ashtu, është vërejtur sërish hedhja edhe e gazit lotsjellës në sallë.
Aktualisht Kuvendi është në pauzë. Kurse kryetari i Kuvendit, një pjesë e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet janë mbledhur për të shqyrtuar opsionin e vazhdimit të seancës. Nuk përjashtohet si mundësi që seanca të vazhdojë pa opozitën, qoftë edhe në një sallë të improvizuar.
Aktivistë dhe simpatizantë të opozitës tubohen para objektit të Kuvendit.
Pas ndërprerjes së punimeve në Kuvend, para ndërtesës së këtij institucioni është tubuar një grup i qytetarëve të cilët po vështrojnë gjendjen.
Sheshi Ibrahim Rugova në qendër të Prishtinës është bllokuar nga policia e Kosovës, e cila po i mbanë këta protestues më larg ndërtesës.