Ndërlidhjet

Quint-i dënon dhunën në Prishtinë


Prishtinë, 18 nëntor 2015.
Prishtinë, 18 nëntor 2015.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Prishtinë kanë dënuar përdorimin e vazhdueshëm të dhunës për, siç kanë thënë, arritjen e qëllimeve politike.

“Apelojmë për respektim të sundimit të ligjit, procedurave demokratike dhe normave ndërkombëtare. Dhuna politike është e papranueshme dhe dëmton interesat e qytetarëve të Kosovës dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ajo nuk i sjell dobi askujt”.

“Ne përgëzojmë Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe theksojmë rëndësinë që ka bindja ndaj ligjit nga ana e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh rangun apo pozitën”, thuhet në deklarëtn e përbashkët të ambasadave të Quint-it.

Të mërkurën në Prishtinë ka pasur skena dhune midis protestuesve dhe policisë.

Protestuesit kanë kundërshtuar arrestimin e deputetës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, për shkak të veprimeve të saj në pengimin e seancave të Kuvendit.

Rreth 22 persona janë arrestuar dhe më shumë se 13 janë plagosur në protestë. Po ashtu janë shënuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Autoritetet në Kosovë e kanë dënuar ashpër dhunën.

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se “dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike nuk mund të arsyetohen në asnjë rast”.

Opozita, për më shumë se dy muaj, ka penguar punën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nga ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Sipas opozitës, marrëveshja e parë çon në ndarje të Kosovës, ndërsa e dyta bën që një pjesë e territorit të Kosovës, pa bazë, t’i takojë Malit të Zi.

XS
SM
MD
LG