Ndërlidhjet

Kryesia e Kuvendit thërret seancën më 30 nëntor


Pamje kur në Kuvendin e Kosovës është hedhur gaz lotsjellës nga deputetët opozitarë
Pamje kur në Kuvendin e Kosovës është hedhur gaz lotsjellës nga deputetët opozitarë

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet në seancën e radhës me datën 30 nëntor. Vendimin për caktimin e kësaj seance e ka marrë sot kryesia e këtij institucioni.

Opozita ndërkaq ka paralajmëruar menjëherë se do të bllokojë punimet e saj, ngjashëm siç ka vepruar dy muajt e fundit.

Për opozitën, seancat e Kuvendit nuk mund të vazhdojnë përderisa kryeministri, Isa Mustafa, dhe Qeveria e Kosovës, të mos i tërheqin nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, janë zotuar se nuk do të ndalen, qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar, të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

XS
SM
MD
LG