Ndërlidhjet

Ukrainë: Riparimi i largpërçuesve – i rrezikshëm


Pamje e largpërçuesit të dëmtuar
Pamje e largpërçuesit të dëmtuar

Ministri i brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, tha sot se aktualisht vetëm një prej katër përçuesve të dëmtuar të rrymës elektrike, që e furnizon Krimenë, mund të riparohet.

Mëtutje, gjatë një mbledhjeje urgjente të qeverisë në Kiev, ai theksoi se prania e mundshme e minave dhe kërcënimi për “sulme shkatërruese”, riparimin e bëjnë praktikisht të pumundshëm.

Afro 1.5 milionë banorë të Krimesë aktualisht janë pa rrymë elektrike, pasi katër përçuesit kryesorë ishin dëmtuar rëndë në rajonin Kherson në Ukrainë, më 21 nëntor.

Raportohet se aktivistët tartarë të Krimesë nuk kanë lejuar që atje të arrijnë inxhenierët për ta kryer riparimin. Thuhet se ka pasur edhe përleshje.

Lideri veteran i tartarëve të Krimesë, Mustafa Dzhemilev, njëherësh anëtar i Parlamentit të Ukrainës, tha dje se bisedimet për vazhdimin e furnizimit me rrymë elektrike nga Ukraina në Krime, do të jenë të mundshme, vetëm pasi “të gjithë shtetasit ukrainas të burgosur në Rusi, në rastet e motivuara politikisht” të lirohen dhe të krijohet një komision për hetimin e vrasjeve dhe zhdukjeve të tartarëve të Krimesë.

Në mars të vitit të kaluar, Rusia e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës.

Ky aneksim është kundërshtuar ndërkombëtarisht, ndërsa vendet perëndimore kanë imponuar sanksione ekonomike kundër Rusisë.

XS
SM
MD
LG