Ndërlidhjet

Opozita: Ditën e festës pushteti e ktheu në dhunë


Prishtinë, 28 nëntor 2015.
Prishtinë, 28 nëntor 2015.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për media, duke thënë se “ditën e festës, pushteti e ka kthyer në ditë të dhunës”.

Këto parti dhe mbështetësit e tyre kanë mbajtur sot një tubim, për të kundërshtuar marrëveshjen me Serbinë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Protesta ka përkuar me Ditën e Flamurit të Shqipërisë, festë kjo që shënohet edhe në Kosovë.

Pas tubimit, Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për veprime që lidhen me bllokimin e seancave të Kuvendit, si dhe disa aktivistë të këtij subjekti.

“Pjesëmarrja e mbi 35.000 qytetarëve në Manifestimin për Republikën shkoi paqësisht, siç ishte planifikuar. Por, ky pushtet me sjelljet e tij menjëherë pas tubimit paqësor, dëshmoi se nuk e duron opozitën paqësore. Ky pushtet ka frikë nga opozita. Ky pushtet e urren opozitën, ashtu siç urren qytetarët, ashtu siç urren popullin e vet”.

“Qeveria kriminale zgjodhi 28 nëntorin e vitit 2015 për të ringjallur në rrugët e Prishtinës imazhin e dhunës policore, që populli ynë kujtoi se e kishte lënë pas, me mbarimin e Luftës Çlirimtare”.

“Policia u tregua e e pamëshirshme, duke përdorur dhunë të paparë kundër aktivistëve. Ka rreth 100 të arrestuar, dhe numri i të lënduarve rëndë është i madh”, thuhet pos tjerash në reagimin e tri partive opozitare.

XS
SM
MD
LG