Ndërlidhjet

SHBA: Nuk tërhiqen akuzat kundër hakerit të dyshuar rus


Roman Seleznov me partneren dhe vajzën e tij
Roman Seleznov me partneren dhe vajzën e tij

Një gjyqtar në Shtetet e Bashkuara ka refuzuar t’i tërheq akuzat kundër të dyshuarit rus për hakerizëm, Roman Seleznev, dhe i ka hedhur poshtë pretendimet se ai ishte rrëmbyer nga agjentët amerikanë në Maldive, për ta sjellur para gjykatës.

Ky gjyqtar në Seattle ka marrë vendim mbrëmë se vetëm tortura ilegale ose sjelljet e tjera mizore, të kryera nga ana e agjentëve të Shërbimit sekret të Shteteve të Bashkuara, që e kanë marrë Seleznevin në arrest, do ta arsyetonte refuzimin e rastit kundër tij.

Seleznev, i biri i një anëtari të Parlamentit të Rusisë, është i akuzuar për hakerizëm në bizneset e Shteteve të Bashkuara dhe për shitjen e më tepër se dy milionë numrave të kartelave kreditore online për miliona dollarë.

Avokati i tij, Andrea Ostrowsky, ka mbajtur qëndrim se arrestimi i tij në aeroportin e Maldiveve, paraqet shkelje të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara dhe Maldiveve.

“Secili agjent duhet ta dijë se nuk mund ta merrini dikend dhe ta detyroni me forcë të futet në aeroplan, pa asnjë proces”, tha Ostrovsky, dhe ka shtuar se “ne besojmë se ky lloj i sjelles është tmerrues dhe shokues dhe nuk duhet të lejohet nga kjo gjykatë”.

Por, prokurorët thanë se nuk kishte dëshmi se agjentët ishin sjellur “pa kontroll në shtetin e jashtëm”, por ata kishin punuar me kujdes me autoritetet e Maldiveve për ekstradimin e Seleznevit.

XS
SM
MD
LG