Ndërlidhjet

Bisedimet paqësore për Jemenin përfunduan pa marrëveshje


Pamje nga hapja e bisedimeve për Jemenin më 15 dhjetor në Zvicër
Pamje nga hapja e bisedimeve për Jemenin më 15 dhjetor në Zvicër

Bisedimet paqësore për Jemenin në Zvicër përfunduan pa kurrfarë marrëveshjeje, por grupet rivale u pajtuan që të takohen përsëri më 14 janar në Zvicër, për një takim katërditor.

Jemeni është goditur rëndë nga lufta nëntëmujore ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shiitë huthi, me ç’rast janë vrarë afro 6 mijë njerëz.

Aleanca ushtarake e shteteve të Gjirit, e udhëhequr nga Arabia Saudite, prej muajit mars i ka filluar bombardimet kundër caqeve të kryengritësve, duke e ndihmuar ripërtritjen e qeverisë së presidentit, Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Konsiderohet se lëvizja kryengritëse huthi e ka aleat Iranin.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të dy palët janë pajtuar për ripërtritjen e armëpushimit.

Derisa Arabia Saudite dhe kryengritësit shiitë huthi e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shumë shkelje të armëpushimit, megjithatë ai e ka reduktuar intensitetin e luftimeve, që ishte shumë i nevojshëm për dërgimin e një ndihme tejet të vogël të nevojshme humanitare në zonat e luftës.

Bisedimet në Zvicër janë mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG