Ndërlidhjet

Janjiq: Vendimi i Kushtetueses përshpejton AKS-në


Analisti Dushan Janjiq
Analisti Dushan Janjiq

Analisti serb, Dushan Janjiq, ka thënë se procesi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë (AKS) do të përshpejtohet, falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Janjiq ka thënë se Kushtetuesja ka zgjidhur dilemën, e cila nuk ka mundur të zgjidhet në tryezën e bisedimeve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës tani mundet që me dekret të zbatojë marrëveshjen për formimin e Asociacionit, në vend se me ligj.

Për miratimin e ligjit do të duhej të siguroheshin dy të tretat e votave në Parlamentin e Kosovës, çfarë do të thotë se opozita do të kishte shanse të reja për të sfiduar marrëveshjen.

Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim që Asociacioni të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Intepretimi i kushtetueshmërisë së Marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit është kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 30 tetor.

Kjo, pasi partitë opozitare në Kosovë kanë penguar punimet e Kuvendit, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja me palën serbe. Sipas opozitës, kjo marrëveshje çon në ndarje të Kosovës.

“Kjo manovër me Gjykatën Kushtetuese është menduar mirë edhe nga Qeveria (e Kosovës), edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe ka pasur për qëllim të çojë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, të ndalojë shpërbërjen e Kuvendit dhe destabilizimin e Qeverisë për shkak të një marrëveshjeje”, ka thënë për mediat serbe analisti Janjiq.

XS
SM
MD
LG