Ndërlidhjet

Orban kërkon kufi të ri në Greqi kundër migrantëve


Migrantë...
Migrantë...

Kryeministri i Hungarisë, Victor Orban, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ndërtojë një kufi të ri në Greqi, si “linjë të mbrojtjes” nga migrantët.

Orban, i njohur për qëndrimin e tij të ashpër antimigrant, ka thënë se një marrëveshje e fundit me Turqinë nuk do të jetë e mjaftueshme për të ndaluar qindra-mijëra migrantët që vijnë në Evropë.

Hungaria ka vënë gardhe me tela në kufirin e saj jugor për të ndaluar migrantët dhe azilkërkuesit.

Gardhet fillimisht kanë nxitur kritika nga partnerët e Hungarisë në Bashkimin Evropian, por, më pas, disa vende të tjera, si Sllovenia dhe Austria, kanë ngritur po ashtu barriera në kufijtë e tyre.

“Është mirë që Turqia ka premtuar se do të ketë një vijë të mbrojtjes atje, por ne duhet të krijojmë vijën tonë, me burime tona, në kufirin verior të Greqisë dhe të ndalojmë, jo të ngadalësojmë, por të ndalojmë migrimin”, ka thënë Orban.

Bashkimi Evropian i ka ofruar Turqisë 3.26 miliardë dollarë dhe lëshime politike, në këmbim të rritjes së bashkëpunimit për frenimin e fluksit të migrantëve.

BE ka thënë më 7 janar se Turqia nuk është duke bërë mjaftueshëm për të zvogëluar valën e migrantëve në Evropë.

Vetëm Gjermania ka thënë se rreth 3,200 njerëz hyjnë çdo ditë në territorin e saj, shumica nga Turqia.

XS
SM
MD
LG