Disa mijëra qytetarë sot u janë bashkuar tri partive opozitare në protestën e mbajtur në Prishtinë, ku u kërkua largimi i Qeverisë së Kosovës.
Por, se sa ka qenë numri i pjesëmarrësve ende nuk dihet, ngase organet e rendit dhe partitë opozitare kanë publikuar shifra të ndryshme rreth numrit të pjesëmarrësve.
Gjatë një konference të mbajtur në Prishtinë në lidhje me ngjarjet e sotme, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se në protestën e sotme ishin të pranishëm rreth 8 mijë qytetarë.
Ndryshe nga policia, partitë opozitare kanë treguar për numër shumë më të madh të protestuesve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në protestën e sotme kanë marrë pjesë rreth 70 mijë qytetarë.
Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, protestën e sotme e ka quajtur si të më madhen të organizuar në Kosovën e pasluftës, duke pohuar për rreth 100 mijë pjesëmarrës.
Protesta e sotme në Prishtinë ka përshkallëzuar dy orë pasi që ka nisur.