Ndërlidhjet

Afganistan: Talibanët të mos i bojkotojnë bisedimet paqësore


Hekmat Khalil Karzai
Hekmat Khalil Karzai

Zëvendësministri i jashtëm i Afganistanit, Hekmat Khalil Karzai, u ka tërhequr vërejtjen talibanëve që të mos e bojkotojnë procesin paqësor me qeverinë në Kabul, duke thënë se kryengritësit që e zgjedhin luftën do të ballafaqohen me pasoja serioze.

Këto komente ai i ka bërë sot pas kthimit nga takimi katërpalësh në Islamabad të Pakistanit, ku u bisedua për hartimin e planit për përfundimin e luftës 14 vjerçare në Afganistan.

Zoti Karzai tha se të gjithë pjesëmarrësit në takimin e djeshëm në Islamabad - Afganistani, Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe Kina - dëshirojnë arritjen e “paqes së përhershme” në Afganistan.

Ai u tha reporterëve se shumica e talibanëve duan paqe, por “ne do t’i përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion kundër atyre që nuk dëshirojnë”.

Zëvendësministri Karzai ka vlerësuar se lufta “nuk është konflikt ndërmjet afganëve”, por ka theksuar përfshirjen e “elementeve të jashtme”.

Zyrtarët në Kabul për një kohë të gjatë e kanë akuzuar Pakistanin për sponsorizim të talibanëve në qytetet afër kufirit afgan, përfshirë Kuetan dhe Peshavarin. Pakistani i ka hedhur poshtë këto akuza.

Talibanët nuk ishin të futar në takimin katërpalësh në Pakistan.

Pjesëmarrësit janë pajtuar që përsëri të takohen më 18 janar, prapë pa pjesëmarrjen e talibanëve.

XS
SM
MD
LG