Ndërlidhjet

Siri: Dhjetëra të vrarë nga sulmet e militantëve të IS-it


Fëmijët duke ikur nga të shtënat në Deir al-Zor
Fëmijët duke ikur nga të shtënat në Deir al-Zor

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, ka njoftuar mbrëmë se pjesëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), i kanë vrarë dhjetëra vetë, gjatë sulmeve kundër lagjeve nën kontrollin e qeverisë në qytetin, Deir al-Zor, në pjesën lindore të Sirisë.

Ky grup, i cili e monitoron situatën në Siri nëpërmjet rrjetit të gjërë të burimeve lokale, mëtutje ka njoftuar se militantët e Shtetit Islamik i kanë vrarë luftëtarët proqeveritarë dhe familjet e tyre gjatë sulmeve në dy lagje në këtë qytet.

Shefi i këtij grupi, Rami Abdulrahman, i tha agjencisë Reuters se është “konfirmuar vrasja e 60 njerëzve, por numri është më i madh”.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka kontrollin në pjesën më të madhe të provincës lindore, Deir al-Zor, ndërsa qeveria i kontrollon disa pjesë të qytetit me po këtë emër, përfshirë edhe një aeroport ushtarak.

Provinca Deir al-Zor i mundëson grupit militant, Shteti Islamik, lidhjen me territorin që e ka nën kontroll në Irak.

XS
SM
MD
LG