Ndërlidhjet

Pakistan: Dy sulmues të vrarë nga përleshja në një universitet


Pamje televizive të njerëzve të evakuuar nga një universitet në Pakistan sot në mëngjes

Policia në Pakistan thotë se i ka vrarë së paku dy militantë në mesin e një grupi të personave të armatosur, që sot e kanë sulmuar një universitet në pjesën veriore të Pakistanit.

Raportohet, po ashtu, se është vrarë një mësimdhënës dhe tre vetë të tjerë janë plagosur.

Ky njoftim u bë derisa përleshja e armatosur po vazhdon në Bacha Khan University në Çarsada, një qytet në Provincën Pakhunkhwa, afro 17 kilometra në verilindje të kryeqytetit provincial, Peshavar.

Raportohet se personat e armatosur kanë hyrë në universitet dhe i kanë filluar të shtënat kundër studentëve dhe arsimtarëve.

Brenda universitetit janë dëgjuar edhe eksplodime.

Studentët dhe profesorët në këtë universitet i thanë Radios Mashal, që është pjesë e Radios Evropa e Lirë, se militantët kanë hapur zjarr në kapacitetet e shkencave kompjuterike dhe të menaxhmentit, gjatë mëngjesit, derisa mbretëronte një mjegull e dendur.

Pasi u njoftua për vrasjen e dy militantëve, policia tha se e ka shpëtuar pjesën më të madhe të studentëve.

Por, policia thotë se mendohet se militantët ende gjenden në katin e dytë dhe të tretë të ndërtesës së universitetit.

XS
SM
MD
LG