Ndërlidhjet

Policia arreston nëntë të dyshuar për kontrabandim të medikamenteve


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës të koduar me emrin “Medikament”, janë arrestuar sot nëntë persona të cilët dyshohen për kontrabandim të medikamenteve.

Policia ka njoftuar se operacioni është realizuar në dy rajone të Kosovës dhe atë pas gjashtë muajsh të hetimeve intensive nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare.

Gjatë operacionit të realizuar në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Inspektoratin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, janë bastisur shtatëmbëdhjetë lokacione në Prishtinë dhe Pejë.

“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar sasi e madhe e barnave (mijëra produkte medicionale) që dyshohet se janë të pakontrolluara dhe të paverifikuara, me prejardhje kryesisht nga Serbia të kontrabanduara në Republikën e Kosovës në mënyrë ilegale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të arrestuarit, janë: K.V., S.R., V.A., A.A., A.A., N.Z., A.J., A.O. dhe A.B., që të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës

“Të arrestuarit dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim kanë kontrabanduar barna të ndryshme, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës”, ka njoftuar policia.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale ‘kontrabandim me mallra’, ‘shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore’, ‘ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike’, ‘krim i organizuar’ dhe ‘posedim i paautorizuar i armëve dhe municionit’.

Përveç barnave, policia gjatë aksionit e ka konfiskuar edhe një revole dhe dy pushkë gjuetie.

Bastisjet dhe arrestimet janë realizuar me kërkesë të prokurorisë përkatësisht vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

XS
SM
MD
LG