Numri i përgjithshëm i emigrantëve dhe refugjatëve që kanë arritur në Greqi gjatë muajit janar është mbi 62 mijë.
Numrin e refugjatëve që kanë arritur në Greqi në muajin e parë të këtij viti e ka bërë me dije sot Organizata Botërore e Migrimit.
“Ky numër është shumë herë më i madh sesa numri që ne e kemi parë një vit më parë, janarin e vitit të kaluar”, ka thënë zëdhënësi i IOM, Joel Millman.
Ai ka shtuar se më shumë se 350 emigrantë kanë vdekur gjatë këtij muaji në brigjet greke, turke dhe italiane, në përpjekjet e tyre për të arritur në Evropë.
Emigrantët në Greqi arrijnë kryesisht nga Turqia, ndonëse kjo e fundit është zotuar se do ta frenojë numrin e refugjatëve drejt BE-së.
Refugjatët në BE janë kryesisht nga Siria dhe Iraku, që janë shkatërruar nga lufta, por edhe nga Afganistani.