Ndërlidhjet

Merkel dhe Putin bisedojnë për Ukrainën


Merkel dhe Putin - foto arkivi
Merkel dhe Putin - foto arkivi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të përdorë ndikimin e Moskës te separatistët në lindje të Ukrainës, për të siguruar zgjidhje politike të konfliktit atje.

Zyra e Merkelit ka bërë të ditur se dy liderët kanë biseduar sot përmes telefonit, me kërkesë të Putinit.

Biseda është zhvilluar një ditë pasi Merkel ka takuar presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, në Berlin, dhe gati një vit pasi Gjermania dhe Franca ka ndërmjetësuar Marrëveshjen e Minskut për Paqe në Ukrainë.

Merkel ka thënë se situata e sigurisë në lindje të Ukrainës duhet të përmirësohet, armëpushimi të vëzhgohet dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të kenë qasje të pakufizuar në zonën e konfliktit, për të mundësuar përparim të mëtejshëm.

Mbi 9,100 njerëz janë vrarë në lindje të Ukrainës prejse forcat qeveritare dhe separatistët pro-rusë kanë nisur luftimet në fillim të vitit 2014.

XS
SM
MD
LG