Ndërlidhjet

BE propozon reforma për të shmangur ikjen e Britanisë


Kryeministri britanik, David Cameron, dhe presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk.
Kryeministri britanik, David Cameron, dhe presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka paraqitur disa propozime për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda Bashkimit Evropian.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për migrantët nga vendet e tjera të BE-së.

Ky mjet do të jetë në dispozicion për të gjitha shtetet anëtare të BE-së nëse ato dëshmojnë se shërbimet e tyre publike janë tejet të rënduara.

Londra, fillimisht, ka lobuar për një ndalesë katërvjeçare të pagesave për migrantët, të cilët kanë përfitime dhe ulje të taksave në Mbretërinë e Bashkuar, por kjo është pritur me rezistencë të ashpër nga Polonia dhe shtetet e tjera lindore të BE-së, të cilat kanë thënë se masa mund të diskriminojë qytetarët e tyre që punojnë në Britani.

Propozimet e tjera kanë të bëjnë me një mekanizëm që do t’iu japë vendeve jo-anëtare të Eurozonës, të tilla si Mbretëria e Bashkuar, më shumë siguri se ato do të konsultohen për vendimet e Eurogrupit, por pa pasur të drejtën e vetos.

Aspektet e tjera të propozimeve të Tuskut përfshijnë dhënien e më shumë pushteti për parlamentet kombëtare dhe një marrëveshje që Londra nuk duhet të angazhohet për integrimin e mëtejshëm politik brenda BE-së.

Anëtarët e BE-së do të debatojnë për propozimet në një samit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 18 dhe 19 shkurt.

Kryeministri britanik, David Cameron, shpreson për një përfundim të shpejtë të negociatave, në mënyrë që të mbajë referendumin për anëtarësinë e Britanisë në BE në muajin qershor.

XS
SM
MD
LG