Ndërlidhjet

Prokuroria parashtron ankesë në rastin e Enver Hasanit


Enver Hasani
Enver Hasani

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate, ka bërë me dije se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit, është refuzuar kërkesa e prokurorisë për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë, në rastin e të pandehurit Enver Hasani.

Prokuroria pretendon se ankesa është bërë “për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë mundur të ndikojnë në nxjerrjen e ligjshme të vendimit gjyqësor”.

Ankesa, sipas prokurorisë, është bërë edhe për shkak “të shkeljes së Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përkitazi me interpretimin e Gjykatës, lidhur me imunitetin funksional të të pandehurit, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”.

“Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i pandehuri Enver Hasani nuk ka vepruar brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional, por ka ndërmarrë veprime, me të cilat ka dalë jashtë funksionit të vet, duke e keqpërdorur detyrën dhe autorizimet, të cilat i janë besuar me ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka njoftuar se aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës mbi refuzimin e kërkesës për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë e ka pranuar më datën 1 shkurt, 2016, “respektivisht pasi që prokuroria më datën 22 dhjetor, 2015, e ka intervistuar drejtpërdrejt dëshmitarin Robert Carolan dhe pasi që më datën 13 janar, 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Enver Hasani për vepër penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, siç thuhet në komunikatë, kërkesa për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë nuk është më objekt i shqyrtimit, ngase prokuroria ka siguruar dëshminë e dëshmitarit Robert Carolan me intervistimin e tij të drejtpërdrejtë dhe pas sigurimit të provave të tjera relevante ka ngritur aktakuzë.

Duke u bazuar në këtë, prokuroria i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si të bazuar dhe të anulojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për krime të rënda.

XS
SM
MD
LG