Ndërlidhjet

Danimarka mbështet marrëveshjen BE-Britani


Kryeministri britanik, David Cameron.
Kryeministri britanik, David Cameron.

Kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, i ka dhënë mbështetje kryeministrit britanik, David Cameron, i cili është në kërkim të një marrëveshjeje që do ta mbante Britaninë brenda Bashkimit Evropian.

Kopenhaga ka qenë ndalesa e radhës e Cameronit, pas Polonisë.

“Nuk ndërhyj në politikat britanike, por shpresoj që Britania të mbetet brenda Evropës”, ka thënë Rasmussen në një konferencë të përbashkët për media me Cameronin.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, të martën, ka bërë publike disa propozime për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda Bashkimit Evropian.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për punëtorët migrantë të BE-së dhe mbrojtje për vendet që nuk përdorin monedhën euro.

“I mbështes të gjitha elementet në lidhje me përfitimet e mirëqenies”, ka thënë Rasmussen.

“Nga këto elemente do të përfitojë edhe Danimarka dhe vendet e tjera anëtare e jo vetëm Mbretëria e Bashkuar”, ka shtuar ai.

Udhëheqësit e tjerë evropianë, sidomos ata në Evropën qendrore, janë shprehur skeptikë ndaj këtyre masave.

Anëtarët e BE-së do të debatojnë për propozimet në një samit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 18 dhe 19 shkurt.

Cameron ka kërkuar që të rinegociojë marrëdhëniet e Britanisë me BE-në pëpara referendumit për anëtarësinë e saj në bllok, i cili mund të mbahet në muajin qershor.

XS
SM
MD
LG