Ndërlidhjet

Dalja nga BE-ja do t’i sillte Britanisë fluks migrantësh


Kryeministri i Britanisë, David Cameron.
Kryeministri i Britanisë, David Cameron.

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian do të nënkuptonte mijëra migrantë në brigjet britanike brenda natës, ka paralajmëruar Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të hënën.

Zëdhënësi i kryeministrit britanik, David Cameron, ka thënë se dalja e Britanisë do të minonte marrëveshjen dypalëshe midis Francës dhe Britanisë, e cila u lejon forcave britanike të kryejnë kontrolle kufitare në tokën franceze dhe të ndalojnë shumë migrantë.

“Nëse Britania lë Bashkimin Evropian nuk ka garanci se këto komtrolle do të mbeten në fuqi”, ka thënë zëdhënësi i Cameronit.

“Nëse këto kontrolle nuk ekzistojnë, nuk do të ketë asgjë që do t’i ndalojë njerëzit të kalojnë Kanalin, të arrijnë në Kent (juglindje të Anglisë) dhe të kërkojnë azil”, ka shtuar ai.

Marrëveshja kufitare Le Touqet është nënshkruar në vitin 2003 nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Brendshme të Britanisë dhe Francës, David Blunkett dhe Nicolas Sarkozy.

Britania do të mbajë referendum për anëtarësinë e saj në BE, sipas të gjitha gjasave në muajin qershor.

Javën e kaluar, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka paraqitur disa propozime për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda Bashkimit Evropian.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për punëtorët migrantë të BE-së dhe mbrojtje për vendet që nuk përdorin monedhën euro.

XS
SM
MD
LG